Për t'u dukur posaçërisht tërheqëse dhe elegante në mbrëmjen solemne, gjeni kohë të mjaftueshme dhe zbatoni udhëzimet tona!
Edhe 120 minuta
Është çasti që të filloni të përgatiteni. Hyni shpejt në banjë: keni grim në fytyrë, ndërsa duhet tërësisht ta hiqni. Nisni me qumësht, pastaj e lajeni me gel dhe në fund qitni losion freskues
Edhe 115 minuta
Nëse dëshironi t'i rregulloni flokët në shtëpi, është çasti që t'i pastroni ato! Mos eksperimentoni me forcues flokësh, sepse ato mund të rëndohen, shpejt të lëshohen, apo të përdorni ndonjë forcues të papërshtatshëm, nga i cili flokët do të duken si fije kashte. Flokët pastaj i mbështillni me peshqir.
Edhe 105 minuta
Nëse jeni të detyruara të hiqni qimet, tashti është çasti! Mirëpo, duhet hequr vetëm në këmbë. Nën sqetull nuk do t'ju kishim rekomanduar, sepse pas depilimit apo rruarjes nuk bënë të përdorni dezodorans alkoolik apo antiperspirant, ndërsa ju pret një natë që do të djersiteni
Edhe 95 minuta
Së pari bëni një "peeling" të lehtë, pastaj një dush. Zgjidhni gelin për bërje dush me aromë freskuese. Kur bëni dush, bëjeni një masazh të lëkurës me sfungjer apo me dorashkë. Pas dushit, fshijuni mirë me peshqir frotiri.
Edhe 85 minuta
Për ta bërë lëkurën të lëmuar, ajo duhet të ushqehet dhe duhet të jetë e lagësht.
Edhe 80 minuta
Flokët thani me fen. Pa marrë parasysh se çfarë frizure do të keni, mos e përpunoni deri në fund, sepse ka akoma kohë për ta përfunduar. Disa tufa flokësh, të cilat mbulojnë fytyrën, kapini me karfica. Në qoftë se duhet patjetër të veni karficat, tashti është momenti që t'i mbështillni flokët, sepse ka mbetur kohë e mjaftueshme që t'ju thahen flokët edhe pa e përdorur fenin.
Edhe 75 minuta
Meqenëse flokët ju janë të thata, është çasti që të vëni maskën e cila do ushqejë, do të freskojë dhe do të tendosë lëkurën e fytyrës suaj. Kujdes që të mos ju hyj në sy, sepse një kohë të gjatë do t'ju djegin sytë dhe do t'ju jenë të skuqur dhe të irrituar.
Edhe 70 minuta
Ka mbetur kohë e mjaftueshme për zgjedhje definitive. "Do të shkosh?" Ç'do të veshësh?" Ku do të takohemi?". Derisa jeni duke bërë telefonatë, mos e humbni kohën e çmuar: hiqeni llakun e vjetër nga thonjtë, ndërsa në lëkurë vëreni ndonjë krem ushqyes.
Edhe 65 minuta
Merreni limën në dorë: rregullojini thonjtë, lyejini me llak dhe ia jepni formën. Pritni që të thahen mirë, sepse mund të dëmtohet llaku.
Edhe 55 minuta
Hiqeni maskën nga fytyra, vëni ampulë apo serum i cili edhe më mirë do ta ushqejë lëkurën e fytyrës.
Edhe 50 minuta
Rekomandohet që të vishni ndërresa dhe vëni antiperspirant. Mirëpo, antiperspiranti në rroba do të krijojë njolla të bardha. Derisa jeni duke hekurosur rrobat, i lini ato që të thahen mirë.
Edhe 40 minuta
Është çasti që të përfundoni frizurën tuaj. Hiqni karficat, shprishni flokët, dhe përfundojeni frizurën. Qoftë të keni bërë punxh apo i keni lënë flokët të lira, megjithatë forcojini pak me llak, i cili nuk i ngjet flokët.
Edhe 25 minuta
Frizura kryesisht është gati, rrobat janë gati... duhet të pastrohen këpucët? A e keni përgatitur çantën, çdo gjë që duhet vendosur në të, dhuratat për më të dashurit, aromën me të cilën do të spërkasni. Kontrollojini çorapët: a janë në rregull?
Edhe 20 minuta
Është çasti që të përfundoni përgatitjet: gjithsesi, grimi i fytyrës është i fundit. Më parë qitni gel apo losion, të cilin lëkura shpejt do ta absorbojë dhe në këtë mënyrë do të mbetet elastike tërë natën. Po qe se është e nevojshme, nën rrudha të syve, rreth rrënjës së hundës dhe rreth buzëve qitni një shtresë të hollë korrektori. Korrektori i gjelbër apo kremi që përdoret për korrekturë shumë mirë do t'i mbulojë pjesët e kuqe të fytyrës.
Mos harroni të pudrosni edhe qafën. Shtresa e pudrës nuk bën të jetë e trashë, ndërsa ngjyra mund të jetë e çelët. Mbi pudrën e lëngët bën të qitet pudër pluhur. Shtresa duhet gjithashtu të jetë e hollë.
Afër qerpikëve në kapakët e sipërm dhe nën qerpikë në kapakët e poshtëm bëjeni një vijë me laps të butë.
Ngjyrosini kapakët. Aktualisht janë në modë hijesimet e vezullueshme, të cilat duken si të yndyrshme. Në qerpik qitni maskara.
Në buzë qitni një pikë pudër të lëngët, pastaj qitni pudër pluhur. Pas këtyre veprimeve linjën e buzëve vizatojeni me laps. Lapsi patjetër duhet të jetë i ngjashëm me nuancën e buzëkuqit. Dhe, në fund, qitni buzëkuq.
Edhe 5 minuta
Grimi është i gatshëm, është çasti që me kujdes të visheni. Pastaj rregullojeni frizurën, forcojeni edhe një çikë me llak apo spërkateni me sprej vezullues. Spërkateni edhe me parfum. Edhe një shikim në pasqyrë dhe mund të niseni. Dhe, Ju urojmë argëtim të këndshëm, shumë të këndshëm, dhe, gjithsesi, Ju urojmë për mbrëmjen e paharruar!