Ti, vetvetja dhe çështjet e tua
"I frikësohen Zotit të tyre që është mbi ta dhe i përmbahen në përpikëri asaj me çka urdhërohen."
"Secilit njeri ia kemi ngjeshur në qafë fluturaken (shënimin - për veprimin) e tij, e në ditën e gjykimit, Ne do t'ia prezantojmë atij libër të hapur." - Kur'an, 17:13
"Prej Islamit të mirë të njeriut, shmangia nga diçka që nuk i intereson." - Hadith : Tirmidhiu
Dëgjoj një zhurmë. Por më vjen nga një vend i largët. Nuk e di se pse ajo zhurmë. Më intereson se ç'është. Ndërsa, zhurmën brenda vetes nuk e ndjen! Çështjet e pazgjidhura desh e po gufojnë! Më e çuditshmja, zhurma vërtetë tërheq të dëgjuarit, por të pamirit dhe arsyet si mund ta tërheqin një njeri që ende nuk ka rregulluar çështjet e veta, ndërsa e prek një ngjarje që nuk ka të bëjë fare me zgjidhjen e problemeve të tij.
Sytë janë trullosur. Nuk dinë kah të shikojnë më përpara: andej apo këndej. Ka harruar të shikojë vetveten! E mendja e trazuar, e ndjenjat e shkapërderdhura me çështjet e të tjerëve. Nuk është i sigurt se si të gjykojë, sikur të ishte i thirrur për atë gjë, jeton me ankth e plotë komplekse.
Mësuesi ynë, Muhammedi – paqja dhe lavdia e Allahut qoftë mbi të, tregon se një musliman i frytshëm e i dobishëm është ai që shmanget nga diçka që nuk i hyn në punë, apo nuk i nevojitet: "Prej Islamit të mirë të njeriut, shmangia nga diçka që nuk i intereson." - Hadith : Tirmidhiu.
Kështu duke u marrë me gjëra të panjohura, e që nuk bëjnë pjesë në hapësirën e personalitetit të tij, e kjo e bën njeriun të hutohet, e të mos dijë edhe as si të merret me vetveten, pasi është zhytur në gjëra të dyshimta, siç është edhe qortimi i të Dërguarit të Allahut, i cili ka thënë: "Lëre atë që të duket e dyshimtë, ndërsa pranoje atë që nuk të duket e dyshimtë." – Hadith : Nesaiu. Gjithçka e huaj, e panjohur, jashtë kompetencave tona, është e dyshimtë.
Çfarë mund të ndryshosh kur merresh me këto çështje, si: çfarë ndodh në Kinë apo në Kanada etj., ç'bëri filan njeriu në filan vendi etj., e çfarë tha ai apo ky etj., etj., kur nuk përfiton gjë veçse preokupimin, humbjen e kohës dhe shkujdesjen kundruall shumë çështjeve tua të pazgjidhura. Sikur individi musliman të përqendrohej aty ku jeton, e të merrej me vetveten e tij, të zgjidh çështjet e tij, do t'i zgjidhnim, madje sigurisht, edhe problemet anekënd botës.
Çdo njeri ka nevojë për mirëqenie sociale dhe shpirtërore. Nivel dhe harmoni. Të ndërtojë një bazë, mbi të cilën do të lëshonte këmbët sigurt dhe të vazhdonte jetën duke mos lëvizur sa andej e sa këndej. Dije se, edhe pse toka poshtë këmbëve tua është e palëvizshme, di të bëhet shumë e luhatshme, dhe të të shpërqendroj!
Kudo që ndodhemi, shoqëria ka nevojë për ju rini. Për rini që di të jetë e vendosur, e përkushtuar për të ndërtuar të ardhmen, po edhe për ta shndërruar errësirën në dritë; për t'i reflektuar vendit, shoqërisë e rrethit tënd forcën e një rinie që jeton e gjallë dhe gjithçka shënjon, e shënjon me devotshmëri.
I riu i devotshëm, plot jetë, plot energji, përplot vizion, di edhe të respektoj vetveten e tij dhe të jap respekt, të çmoj jetën dhe forcën e rinisë që ka; di të zgjedh të drejtën dhe t'i shmanget të padrejtës, po di edhe të dalloj errësirën nga drita; e kjo e bën atë të jetë edhe i përulur ndaj Zotit që ia dhuroi këtë jetë plot jetë, dhe të mos i frikësohet askujt përveç Zotit të vet, e as të mos i trembet kurrfarë gjëje, veçse dënimit të Zotit, i cili vjen si shkak i padrejtësisë, devijimit, dhe mungesës së devotshmërisë.
Allahu xh.sh. thotë: "I frikësohen Zotit të tyre që është mbi ta dhe i përmbahen në përpikëri asaj me çka urdhërohen." - Kur'an, 16:50
Ne urdhërohemi të merremi në radhë të parë me vetveten, e kur ta përmirësojmë atë, të tjerët veçse janë përmirësuar, pasi, secili po të merrte këtë mësim, muslimanët e rinj për gjëra të imëta do të këshilloheshin. Por, jo ti pa e përmirësuar vetveten, të synosh përmirësimin e të tjerëve. Dije se, kjo do të mbetet thjesht preokupim, humbje kohë, ndërsa çështjet tua të pazgjidhura do të mbesin ashtu siç janë. Do të duhej të të interesonin të drejtat tua individuale në shoqërinë ku gjendesh, të punosh për to, edhe t'u paraprish ngjarjeve, apo të parandalosh pengesat. Jo, po ne zgjohemi për zgjidhjen e problemeve tona vetëm pasi të na bien mbi kokë, e kur të na rëndojë, saqë nuk mund të lëvizim, ngrihemi me tërë fuqinë tonë, thuajse qiellin do ta çajmë!
Problemi problem mbetet. Nuk zgjidhet, të falet mundet. Jo, problemi duhet të parandalohet! Vetëm atëherë kur ndodh diçka pavetëdijen tonë, apo kur të na kenë futur në gjumë "të tjerët", e kur të zgjohemi, shohim një stok problemesh. Tani ke pse dalldisesh me atë që sheh. Ndërsa, sot, ti e unë, e shumë vetvetesh tjera, pasi të ndodh ajo që patjetër do të ndodhte, pra problemi, nxitojmë me "kundërpërgjigje", e rritet tensioni, thuajse gjithçka do të përmbysim po nuk u arrit ajo që duam, apo të hiqet ajo që s'e duam. Por, durim, sepse ashtu siç ngrihesh shpejtë, edhe ulesh shpejtë. Eh, sikur të paktën, vetëm avazi i dikurshëm i "interesimit" ndaj vetvetes dhe çështjeve tona, të ndryshonte!
Kjo i ngjet sikur gjendja e atij që është në gjumë, ndërsa sheh ndonjë ëndërr të këndshme, i buzëqesh fytyra, ndërsa stoku i problemeve thuajse i ka ngulfatur dhomën ku është krevati, ku po ëndërron gëzueshëm; apo edhe e kundërta, me atë që sheh ëndërr të pakëndshme, ankth, dëshiron ta sfidoj, por këmbë e duar është i shtangët, e nuk lëvizë dot. Njeriu i mençur do të merrte shumë mësime edhe prej vet gjumit që bën. Allahu na ruajt nga gjendja e të qenët sikur i dehur!
Kjo gjendje, sepse mediet bëjnë punën e tyre. Këtë punë kanë: ty të të mbajnë të angazhuar me çështjet e tyre, ndërsa çështjet tua t'i harrosh! Kjo gjë nuk vihet re pasi janë mjeshtër në botën e tyre të ndikimit. Po, madje edhe ato programe që thirren se janë edukative – shkencore – kulturore etj., etj., veprojnë për caqet e tyre. Filan dokumentari rreth zbulimit të një planeti të ngjashëm me tokën! Apo, filan shkencëtari gjeti një fosil që tregon se origjina e njeriut nuk është prej majmunit.
A thua, nuk e dije se njeriu është bir i Ademit? Apo të interesonte çështja e të tjerëve: t'i bësh të besojnë se "Ademi" është i pari i njerëzimit. Po ti vërtetë mendon se, njerëzit që kanë logjikë të shëndoshë, të jenë mashtruar se kjo ashtu e ajo kështu? E pse njerëzit mendjelehtë thonë kështu e ashtu, ata edhe nuk na hynë në punë gjë, pasi, një mendje e turbulluar nuk i sjell gjë shoqërisë veçse turbullirash e trazirash. Ndërsa ne kemi nevojë për kthjelltësi, e jo tymnaja. Jo ti e di, por këmbëngul që edhe të tjerët të dinë atë që ti di, apo në atë që ti beson, të besojë edhe tjetri! Ty më shumë do të të takonte të lexoje se ç'thotë Allahu, e ç'porosit i Dërguari i Allahut, sesa ç'thonë të tjerët. Ty të mjafton të edukohesh për veten tënde, të menaxhosh çështjet tua si duhet, pastaj, dashtë Allahu, të ftosh me dituri, urtësi dhe këshillë të mirë edhe të tjerët. Allahu xh.sh. thotë: "Ti thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë." - Kur'an, 16:125.
Ti nuk urdhërohesh për diçka që nuk e përballon, diçka përtej mundësive tua, po edhe jashtë kompetencave tua. "Ne nuk e obligojmë asnjë njeri përtej mundësive të tij." – Kur'an, 23:62. Jo, po njeriu i bën padrejtësi vetvetes! Ndërsa, Allahu xh.sh. e edukon të Dërguarin e Tij, Muhammedin a.s., që të zgjedh të lehtën, të përballueshmen, të urdhërojë për mirë, por të njëjtën kohë të mos rrijë me të padijshmit, me të paarsyeshmit. Allahu xh.sh. thotë: "Ti (Muhammed) merre të lehtën, urdhëro për mirë dhe hiqu prej të padijshmëve." - Kur'an, 7:199. Sepse ata nuk binden, e nuk ke pse ti të ndihesh keq për ta, pasi ajo është rruga që kanë zgjedhur. Edhe ndjekësit e Muhammedit a.s. këtë mësim kanë!
Mos vallë, mendohet se në duart tona është çështja e të tjerëve, po u fole për këtë a për atë, do të të binden? Të ishte ashtu, për dëshirën tënde të bindësh të tjerët për të mirën, ti në radhë të parë do ta bindje vetveten që të merrej me çështjet e veta; ta përmirësoj e ndryshoj atë për mirë. Pastaj, Allahu xh.sh. na ka liruar nga këto komplekse, pasi edhe vetë Muhammedi a.s. zemërohej e ndihej keq kur të tjerët nuk i përgjigjeshin, por Allahu xh.sh. i tha: "Në të vërtetë, All-llahu e largon nga e vërteta atë që do dhe Ai e udhëzon atë që do, andaj ti (Muhammed) mos shkatërro veten me dëshpërim për ta." – Kur'an, 35:8. Mirëpo, kjo nuk do të thotë të mos urdhërohet për mirë e të ndalohet nga e keqja, por të mos këmbëngulet që ndokush të përgjigjet gjithsesi, e të preokupohet saqë ta bëjë të harrojë edhe vetveten dhe çështjet e veta.
Jo, nuk je prej atyre, pasi edhe udhëheqësit tuaj do të ishin ndryshe. Edhe prijësit do të prinin pak më ndryshe. Po edhe ato shtete ku jetojnë njerëz si ti, do të ishin më ndryshe. Gjithçka që ngjet keq, nuk është veçse fryt i duarve tona; fryt i vetvetes sonë. Allahu xh.sh. thotë: "Çfarëdo e mirë që të vjen është nga All-llahu, e çka të ndodhë nga ndonjë e keqe është nga vetë ti." - Kur'an, 4:79. Pra, gjithçka që shohim keq, është fryt i punës ose mospunës sonë.
Të devotshmit në vetveten e tyre, në rregullimin e çështjeve të tyre, në përgjegjësitë e tyre ndaj vetvetes dhe shoqërisë, janë ata që do të korrin fitime të mëdha. Por, gjithnjë, kjo devotshmëri, të fillojë nga "Ti", "Vetvetja jote" dhe "Çështjet e tua".
Allahu na udhëzoftë e na mëshiroftë, e të kthjellohemi për vetveten dhe çështjet tona, e kjo ndonëse edhe do të sillte devotshmërinë kolektive, pastaj, të mos duhet për tjetrin atë që nuk ta dëshiron vetvetja, "Nuk do të jetë besimtar askush nga ju, derisa nuk i dëshiron vëllait të tij atë çka i dëshiron vetes." – Hadith:Buhariu; e kjo e fundit ngadhënjimin e gjithëmbarshëm, me ndihmën e Allahut, inshaAllah: "Ne u ndihmuam atyre dhe ata ngadhënjyen." – Kur'an, 37:116.
Allahu e di më së miri, ve-l-hamdu lilahi ve salAllahu alejhi ve selem