D ëshira për të qenë i lumtur është një veçori e njeriut, i cili duke qenë i pajisur me aftësinë e të menduarit, zë vendin më të lartë ndaj të gjitha krijesave tjera.
Çdo njeri mundohet të arrijë fatbardhësi në jetë dhe mendon vazhdimisht për një të nesërme edhe më të lumtur.
Njeriu është i përbërë prej trupit dhe shpirtit. Islami u kushton rëndësi të veçantë si nevojave materiale, ashtu edhe nevojave shpirtërore të njeriut.
Njëkohësisht na mëson rrugën më të drejtë për të arritur lumturinë individuale si dhe lumturinë e mbarë shoqërisë. Islami i ka rregulluar të drejtat dhe obligimet e ndërsjella të njerëzve. Është feja e fundit dhe më e përkryera.
Kur'ani Famëlart është shpallja e fundit që All-llahu xh.sh. nëpërmjet Muhammedit a.s. e dërgoi si udhërrëfyes për mbarë njerëzinë.
Qëllimi i Islamit
Qëllimi i parimeve dhe mësimeve kur'anore është që t'i kalitë njerëzit shpirtërisht dhe moralisht, për të arritur lumturinë në këtë botë dhe në botën tjetër. Parimet islame mjaftojnë për të përmbushur kërkesat e njerëzve në çdo vend. Ato janë të përjetshme, të pandryshueshme.
All-llahu xh.sh. në Kur'an na bën me dije:
"Me të vërtetë e vetmja fe e pranueshme te All-llahu është Islami"
Parimet themelore islame
Parimet themelore islame përmbajnë:
* Besimin
* Ibadetin (adhurimin) dhe
* Moralin
I. BESIMI
Shpirti ynë, sikurse edhe trupi, ka nevojë për ushqim. Ushqimi më i rëndësishëm i shpirtit është besimi.
Njeriu që beson forcohet moralisht dhe ngrihet shpirtërisht. Ai e ka të zhvilluar ndjenjën e përgjegjësisë, sjelljet e tij përmirësohen vazhdimisht dhe arrin pjekurinë personale.
Dy shtyllat kryesore të fesë Islame janë:
1. All-llahu është Një dhe nuk ka zot tjetër përveç Tij.
2. Muhammedi është I Dërguari i All-llahut.
All-llahu (xh.sh.)
Besimi në All-llahun Një paraqet kushtin themelor të Fesë Islame.
All-llahu xh.sh. nuk i përngjan asnjë krijese. Ai është i Pëjetshëm. Nuk ka asnjë të metë. Është i Plotfuqishëm, i Gjithëdijshëm dhe i Kudopranishëm. Ai dëgjon dhe sheh çdo gjë.
Pejgamberët
Pejgamberët ia transmetojnë porositë hyjnore gjithë njerëzisë. Ata janë njerëz të zgjedhur dhe e meritojnë këtë mision. Muhammedi alejhisselam është pejgamberii fundit. Ai është i dërguar për mbarë njerëzinë. Ka qenë i karaktershëm dhe me virtyte të larta. Është një shembull i përkryer për të gjithë njerëzit.
Kushtet e besimit islam
Kushtet e besimit islam (shartet e imanit) janë gjashtë. Ato janë:
1. Besimi në All-llahun Një.
2. Besimi në melekët (engjëjt) e Zotit.
3. Besimi në librat e shenjtë (kitabet).
4. Besimi në pejgamberët e Zotit.
5. Besimi në Ditën e Gjykimit.
6. Besimi më kaderin e Zotit se çdo gjë, e mirë apo e keqe, vjen prej All-llahut xh.sh.
II. IBADETI (adhurimi)
Ibadeti bëhet në shenjë njohjeje, respekti dhe falënderimi ndja Krijuesit për të gjitha begatitë që na i ka dhuruar. Duke iu falur e lutur All-llahut xh.sh., ne i çojmë në vend urdhërat e Tij dhe duam të fitojmë dashurinë e Tij.
Ibadeti bëhet me qëllim që besimtari të ndiejë afrinë e All-llahut xh.sh. dhe të mbrohet nga mëkatet.
All-llahu xh.sh. duhet lutur në pajtim me urdhrat e Tij dhe hadithet e Pejgamberit a.s.
Ibadeti na e pastron shpirtin, na i largon pasionet e shfrenuara dhe flak devijimet morale që na largojnë nga dashuria e Zotit.
All-llahu xh.sh . në jë ajet kur'anor na rekomandon:
"O njerëz! Adhurojeni Zotin tuaj, i Cili ju krijoi juve dhe ata që ishin para jush, ashtu që të jeni të devotshëm (të shpëtuar)".
Ibadetet (adhurimet) kryesore në islam
* Namazi
Ky ibadet (adhurim) kryhet pesë herë në ditë, në kohë të caktuar. Por ka edhe ibadete tjera, përveç atyre ditore, siç janë namazi i xhumasë dhe namazi i bajrameve, që falen me imam dhe konsiderohen festa të muslimanëve.
Namazi është shembulli më i mirë se si duhet t'i nënshtrohemi All-llahut xh.sh. dhe si duhet ta adhurojmë Atë.
Gjatë faljes së namazit, besimtari shijon kënaqësinë e pranisë së Zotit xh.sh., për një çast i largon shqetësimet e kësaj bote dhe ndjen një lehtësim shpirtëror. Para se të hyjmë në namaz duhet të marrim abdest dhe të gjejmë një vend të pastër për t' falë.
namazi i fton besimtarët që të kultivojnë ndjenjën e përgjegjësisë dhe formimin e një shprehie të mirë për të kaluar kohën në ibadet. po ashtu e pastron shpirtin nga të gjitha mendimet (refleksionet) e këqija dhe e kalit karakterin e njeriut.
All-llahu xh.sh. në Kur'anin a.sh. na vë në dije:
"Kryeje namazin! Me të vërtetë namazi të pengon nga amoraliteti dhe çdo gjë e keqe".
Xhamia si dhe mesxhidi janë vende në të cilat falen muslimanët. Aty besimtarët i marrin mësimet e fesë dhe këshillat edukative të moralit islam.
Ezani është thirrje që paralajmëron besimtarët për kohën e namazit. Shumica e xhamive kanë nga një minare, të ngritur pranë xhamive, prej ku thirret ezani me zë të lartë. Ky është zakon (synnet) që daton që nga ditët e para të Islamit.
Në namazet që falen me xhemat prin imami. namazet ditore mund të falen edhe vetmas, me përjashtim të namazit të xhumasë dhe namazeve të bajrameve.
Në Islam, ndërmjet All-llahut xh.sh. dhe besimtarit nuk ka ndërmjetës. Besimtarët, si lutjet po ashtu edhe dëshirat e tyre, ia drejtojnë drejtpërdrejt All-llahut xh.sh.
Gjatë faljes me xhematë, imami qëndron para tyre, kurse xhemati radhiten pas tij në safa. Vendi ku qëndron imami quhet "mihrab", kurse vendi nga e cili mbahet ligjëratat (vazet) quhet "qursi". Në anën e majtë të mihrabit është një vend i ngritur, prej ku mbahet hudbeja e xhumasë dhe e bajrameve, dhe quhet "munber".
* Agjërimi
Agjërimi është ibadet që konsiston me privimin nga të gjitha ngrëniet, pijet dhe marrëshënia intime që nga agimi e deri në të perënduar të diellit, gjatë tërë muajit të Ramazanit, sipas kalendarit lunar.
Agjërimi i forcon besimtarët që të mund t'u sundojnë punëve të këqija dhe t'i mposhtin veset.
"O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurve ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm".
Agjërimi e pastron shpirtin dhe e zhvillon ndjenjën e dashurisë. Ai gjithashtu është i dobishëm për shëndetin e njeriut, gjë që është vërtetuar edhe nga vetë mjekësia bashkëkohore.
Muhammedi a.s. gjithashtu e pohon këtë realitet:
"Agjëroni (në daçi) të jeni të shëndoshë".
* Zekati
Me këtë praktikë të dhënies nga të mirat materiale që na i ka falë Zoti, ngarkohen besimtarët e pasur që nga pasuria e tyre t'u ndajnë të varfërve për çdo vit nga 2,5%. Kjo është një ndihmë solide për të zbutur gjendjen sociale të nevojtarëve. Zekati nuk e pakëson pasurinë e askujt, por e pengon keqpërdorimin e saj, ndikon në lindjen e simpatisë midis njerëzve dhe pengon armiqësinë që mund të sjellë pasuria.
* Haxhxhi
Sipas normave kur'anore, me këtë obligim fetar ngarkohen muslimanët e pasur.
Muslimani është i detyruar që një herë gjatë jetës së vet ta vizitojë Mekën, qytetin e shenjtë ku gjendet Ka'beja, Shtëpia e Zotit (Bejtull-llahu).
Besimtarët, pa marë parasysh cilës shtresë shoqërore i takojnë, vishen me ihrame të bardha për të kryer shartet e haxhxhit. veshja e këtillë na përkujton Ditën e Gjykimit, kur askush nuk do të ketë asgjë materiale për të dhënë llogari para All-llahut xh.sh.
Vizita vendeve të shenjta besimtarëve u sjell kënaqësi mahnitëse shpirtërore, ndikon për ta shtuar dashurinë dhe besnikërinë ndaj parimeve të dhenjta islame. Haxhxhi, që i bashkon besimtarët, pa dallim race e gjuhe, ka karakter të një kongresi ndërkombëtar.
Sikurse ibadetet e tjera, edhe haxhxhi pra synon pastrimin shpirtëror të njeriut, synon ta pasrtojë nga mëkatet, ta forcojë karakterin e tij individual dhe të sigurojë paqen dhe stabilitetin e mbarë shoqërisë.
III. MORALI
Morali është një koncept të cilin Islami i kushton rëndësi të veçantë.
Muhammedi a.s. na këshillon:
"Jam dërguar për të përsosur moralin ( e njerëzve)".
Vlefta e njeriut çmohet sipas morali të tij. E kanë pyetur Pejgamberin e Zotit xh.sh.: "Cilët janë të zgjedhurit e All-llahut xh.sh.?"
Ai është përgjigjur:
"Ata që kanë karakter dhe sjellje (ahlak) më të mirë."
Dashuria dhe merhameti
Humanizmi është dashuria ndaj të tjerëve dhe veçori e karakterit të mirë. Muslimani i vërtetë doemos duhet ta ketë të zhvilluar ndjenjën e dashurisë ndaj njerëzve.
"Kurrsesi nuk do të jeni besimtarë derisa nuk e doni njëri-tjetrin" - thotë Pejgamberi ynë.
Ai po ashtu thotë se njerëzit që bëjnë merhamet, përfitojnë nga mëshira e Zotit xh.sh.
Sipas Islamit, këto ndjenja fisnike duhet kultivuar jo vetëm ndaj njerëzve, por edhe ndaj të gjitha krijesave. Pejgamberi i All-llahut xh.sh. na ka paralajmëruar:
"Me të vërtetë është dënuar një grua për shkak të një maceje e cila ngordhi ngase gruaja e kishte lënë pa ngrënë. Por është falë një grua e cila kaloi pranë një qeni që lehte i cili nga etja ishte duke ngordhur. Gruaja i dha ujë dhe, për këtë gjest, iu falën mëkatet".
Butësia
Muslimanët e vërtetë janë dashamirës, të mëshirshëm dhe tolerantë.
All-llahu xh.sh. njerëzit e tillë i cilëson si vijon:
"...dhe që e frenojnë mllefin, që u falin (të keqen) njerëzve, e All-llahu i do bamirësit".
Ndershmëria
Ndershmëria qëndron në krye të rregullave morale.
All-llahu xh.sh. na urdhëron:
"Ti (Muhammed) përqëndrohu vendosmërisht ashtu si je urdhëruar".
Drejtësia dhe respektimi i të drejatve të njeriut
Drejtësia dhe respektimi i të drejtave të njeriut janë parime themelore të Fesë Islame.
Allahu i Mdhërueshëm na këshillon:
"... dhe jini të drejtë! All-llahu njëmend i do të drejtët".
Në vitin 632, Muhammedi a.s. mbajti hutben e tij të njohur (Hutbeja e lamtumirës) para më se njëqind mijë muslimanëve. Ai u tregoi të pranishmëve se përfundimisht të gjithë njerëzit tashmë kishin të drejta të barabarta dhe se jeta e tyre, pasuria e tyre dhe nderi i tyre ishin të pacenueshme...
"Nuk është musliman i mirë ai që nuk e do për tjetrin atë që e do për vete".
Gruaja dhe fëmija në islam
Të sillesh butësisht ndaj të vegjëlve, t'i respektosh pleqtë si dhe mirësjellja ndaj grave janë parime themelore të Islamit.
Muhammedi a.s. thotë:
"Ai i vili bën mëshirë ndaj fëmijëve dhe nuk i respekton pleqtë nuk është i radhëve tona".
Në një hadith tjetër thuhet:
"Mirësia juaj, mirësia juaj është te gratë tuaja".
Puna
Puna është urdhër i All-llahut xh.sh.. Është farz. Përtacia është ves që nuk përkon aspak me mirësjelljen islame.
Në Kur'anin a.sh, thuhet:
"... dhe mos lë mangu atë që të takon nga kjo botë".
Muhammedi a.s. na këshillon:
"Më i miri prej jush është ai i cili nuk e lë botën tjetër për këtë botë, dhe as këtë botë për botën tjetër... Muslimani i mirë punon për të dy botërat njësoj dhe nuk u bëhet barrë njerëzve tjerë".
Pastërtia
Pastërtia shpirtërore dhe pastërtia trupore janë tipare themelore që duhet t'i ketë çdo besimtar.
All-llahu i Lartmadhëruar thotë:
"All-llahu me të vërtetë i do ata që pendohen dhe ata që pastrohen".
Ja edhe disa hadithe që flasin për rëndësinë e pastërtisë:
"Pastërtia është pjesë e besimit".
"Pastërtia është gjysma e imanit".
"Pastroni rrethin tuaj jetësor".
Burimi i lumturisë
Burimi i lumturisë mund të pëmblidhet në dy shtylla kryesore:
1. T'u nënshtrohesh urdhrave të All-llahut xh.sh.
2. Të sillesh butësisht ndaj të gjitha krijesave.
Musliman i vërtetë është ai që i zbaton postulatet universale që u përmendën më këtë faqe.
Kjo është rruga e sigurt e lumturisë në këtë botë dhe garanci e lumturisë së përjetshme në botën tjetër